Në përfundim të Javës së Sigurisë Rrugore, Departamenti i Promocionit dhe i Edukimit Shëndetësor, në bashkëpunim me Kabinetin e Promocionit të DSHP Tiranë, dhe Drejtorinë e shkollës 9-të vjeçare ”Skënder Çaci ”organizuan një sërë aktivitetesh në klasa dhe grupe të ndryshme nxënësish.
Në finalizim të tyre në datën 17 maj 2013 në një nga sallat e kësaj shkolle për nxënësit e klasave të nënta u shfaq një film me imazhe reale të aksidenteve në trafik. Mesazhi që synonte të përcillte ky film për fëmijët e pranishëm ishte; se edhe gabimi e pakujdesia më e vogel mund t’ju marrë jetën, apo të mbeteni të gjymtuar përgjithmonë.
Njëkohësisht një grup nxënësish transmetuan disa mesazhe të cilat i kishin përgatitur vetë, me fokus kujdesin që duhet treguar nga këmbësorët gjatë lëvizjeve në rrugë, respektimin e rregullave të qarkullimit, sinjalistikës rrugore, etj
Gjatë kësaj Jave u shpërndanë broshura, postera e materiale të tjera me qëllim sensibilizimin e nxënësve për pasojat që sjell mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.
Synimi i këtij aktiviteti është që fëmijët dhe të rinjtë, që në shkollë të edukohen me sjellje korrekte gjatë levizjeve në rrugë, një garanci me shumë kjo për të ardhmen dhe jetën e tyre, për më shumë siguri në trafik.