29 Shtator 2016, Dita Botërore e Zemrës

Loading Events
  • This event has passed.
Description

29 shtator

Dita Botërore e Zemrës

Çdo vit në muajin shtator organizohet në nivel global Dita Botërore e Zemrës. Ky është një event i cili organizohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Federatën Botërore të Zemrës me qëllim informimin e popullatës në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në gjithë botën. Kjo ditë synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Në këtë ditë ne dëshirojmë që çdo njeri të kuptojë se çfarë duhet të bëjë për të fuqizuar zemrën dhe jetën e vet. Zemra juaj është në qendër të shëndetit dhe është e lehtë të kujdesemi për të.

Fuqizo jetën tënde!

Zemra jote fuqizon gjithë trupin,

të lejon të duash, të qeshësh dhe të jetosh jetën plotësisht

Sëmundje kardiovaskulare (SKV) është një term i gjerë dhe përfshin një sërë sëmundjesh që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut. Një atak në zemër ose goditje në tru mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundjeje kryesore. Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose në tru prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut. 

Fakte nga bota

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë

  • Vdekjet nga SKV-të në botë, sot arrijnë në 17 milionë.
  • Vdekshmëria globale nga SKV-të është 31%.
  • Vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme janë më të prekura nga vdekshmëria prej SKV-ve.
  • Parashikohet që për vitin 2030 numri i vdekjeve nga SKV-të të arrijë 23 milionë.
  • Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur si objektiv për vitin 2025 reduktimin me 25% të vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga sëmundjet kronike, në të cilat SKV-të zënë vendin më të madh.
  • Shumë SKV janë të parandalueshme duke adresuar faktorët e rrezikshëm të sjelljes.
  • SKV-të dhe goditja në tru (stroke) shkaktojnë 1/3 e të gjitha vdekjeve të grave në mbarë botën.

Rritja e prevalencës së faktorëve të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare

  • Nga viti 1980 – 2008, numri i njerëzve me hipertension të pakontrolluar është rritur nga 600 milionë në 1 miliard.
  • Mbipesha te fëmijët në mbarë botën: 1 në 10 fëmijë të moshës shkollore dhe 42 milionë fëmijë të moshës nën 5 vjeç janë mbipeshë.
  • Duhanpirja është një faktor rreziku për SKV-të që mund të shmangen totalisht. Aktualisht ka 1 miliard duhanpirës në mbarë botën
  • Diabeti është rritur në shumë vende të Evropës me një rritje më shumë se 50% në 10 vitet e fundit.
  • Në rang botëror, në vitin 2010 kishim 23% të të rriturve të cilët nuk ishin aktiv.

Pse është e domosdoshme të ndërmarrim që tani ndërhyrje për sëmundjet kardiovaskulare?

  1. Vdekjet e parakohshme po vazhdojnë të rriten
  2. Plakja e popullatës+ rritja e urbanizimit + parandalimi i papërshtatshëm = epidemi të sëmundjeve kardiovaskulare.
  3. Rritja e pabarazisë
  4. Vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme janë aktualisht më të prekurat, me rreth 80% të vdekjeve nga SKV-të.
  5. Ekonomia

Në botë kostoja e SKV-ve është 863 miliardë $.

Edhe në vendin tonë, në vitet e fundit ka një rritje të përvitshme të SKV-ve. Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve duke zënë vendin e parë të të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare.

Në Shqipëri, në vitin 2010 sëmundjet kronike përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve, ku 55% kishin shkaktar sëmundjet kardiovaskulare (Raporti Shëndetësor Kombëtar, RSHK 2014). Nëse do të shikonim rastet e vdekjeve, shohim se dy janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje, sëmundjet e arterieve koronare apo sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditja në tru (sëmundjet cerebrovaskulare).

Materialin e plotë mund ta shkarkoni në formatin pdf : këtu

Start Date - End Date

Sep 29, 2016 - Oct 01, 2016

Start Time - End Time

12:00 am - 12:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This