Muaji maj është muaji i sensibilizimit të luftës kundër duhanit. Sipas “Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, përdorimi i duhanit është një ndër shkaqet e vdekjeve të cilat mund të parandalohen. Aktualisht, ai është përgjegjës për 10% të vdekjeve tek të rriturit në mbarë botën. Qëllimi i Ditës Botërore Pa Duhan është mbrojtja e brezave të sotëm dhe të ardhshëm nga pasojat shkatërruese mbi shëndetin, shoqërinë, mjedisin dhe ekonominë, si rrjedhojë e konsumit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të tij. Në kuadër të javës së ndërgjegjësimit të luftës kundër duhanit, Sektori i Abuzimit me Substancat Duhan-alkool në Departamenti i Promocionit dhe Edukimit Shёndetёsor në Institutin e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me drejtorinë dhe mjeken e shkollës “Ismail Qemali”, organizuan në datën 28 maj një aktivitet sensibilizues i cili u konceptua dhe u drejtua nga vetë të rinjtë. Mesazhet u dhanë nëpërmjet skeçeve, parodive, filmimeve, pantonimave, këngëve dhe poezive. Aktiviteti ishte informues për dëmet e duhanit dhe promovues për një jetë pa duhan. Është për t’u theksuar se, gjatë këtij aktiviteti në skenë u mblodh qeveria e shkollës, nxënësit u vendosen në rolet e Kryeministrit, Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Arsimit dhe atij të Ekonomisë. Gjithashtu, u diskutua për ndryshimet ligjore për një zbatimi më të mirë të ligjit antiduhan, për një shkollë pa duhan dhe për rritjen e taksave të duhanit. Po atë ditë një aktivitet i ngjashëm, në qendër të të cilit ishin vetë nxënësit, u organizua nga Departamenti i Promocionit dhe Edukimit Shёndetёsor në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës “Petro Nini Luarasi”. Të dy aktivitetet ishin në dobi të promovimit të një jete të shëndetshme pa duhan. Aktiviteti përmbyllës, në të cilin morën pjesë mjekë dhe nxënës të shkollave të Tiranës, u zhvillua në datën 29 maj në shkollën e mesme “Sami Frashëri”. Interesante për të pranishmit ishte kryerja e një eksperimenti në të cilin demonstroheshin dëmet që u sjell mushkërive tona konsumimi i duhanit. Përveç posterave dhe fletëpalosjeve të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, ishin nxënësit ata që kishin përgatitur postera dhe fletëpalosje me mesazhe lidhur me këtë ditë. “Stop duhanit”, “Duhani vret”, “Duhani, armiku i shëndetit”, “Thuaj jo duhanit” ishin disa nga mesazhet e përcjella nga nxënësit. Në mbyllje nxënësit u drejtuan specialistëve të pranishëm në sallë pyetje lidhur me dëmet e duhanit, arsyet se përse nuk duhet ta konsumojnë atë, si dhe hapat konkrete të ndërmarra nga institucionet për uljen e duhanpirjes në vend. Falenderimet shkojnë për të rinjtë dhe të rejat, që me fantazinë e tyre dhanë mesazhe me vlera për një “Rini të shëndetshme pa duhan”. Këto aktivitete u mundësuan nga bashkëpunimi midis Institutit të Shëndetit Publik, Drejtorisë së Shërbimit Parësor të Tiranës, mjekëve të shkollave, Drejtorisë Arsimore Tiranë, si dhe drejtorisë së shkollave dhe trupës pedagogjike. Roli i të rinjve dhe të rejave ishte vendimtar në këtë sukses.
Aktiviteti u pasqyrua nga mediat kryesore në vend.